Sjellja votuese elektorale është një komponent me shumë rëndësi në jetën ekonomike-politike-sociale të Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është formuluar në nenin 1, pika 3: “Qeverisja bazohet në zgjedhje të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike”. Kështu që vota shpreh mekanizimin e drejtpërdrejtë me anën e të cilit individi merr pjesë në procesin politik, me përfaqësueshmëri. Përbën një nga drejtimet e fokusit të aktorëve politik ku ata ofrojnë programe, platforma politike, etj. Baza e zhvillimit të politikave të qëndrueshme ndërtohet mbi interesin e votuesit.
Studentët do të tentojnë tu japin përgjigje gjatë kërkimit këtyre pyetjeve të procesit elektoral: Si voton elektorati? Si dhe pse ai e merr vendimin e tij? Mbi bazë të cilave kritere? Cilat janë implikimet që rrjedhin prej këtij vendimi dhe sjellje? Arsyen e përzgjedhjes së një partie mbi një tjetër? Cila është lidhja midis votuesit dhe vendim-marrësit? Si mund të bëhet ky bashkëpunim më efektiv dhe eficent në drejtim të zhvillimit social-ekonomik-politik në qytetin e Durrësit?
Për më tepër, në kontributin drejt zhvillimit të demokracisë dhe mirëqënies së njësisë lokale është me rëndësi themelore analizimi i “kriterit përzgjedhës” me të cilin votuesit bëjnë zgjedhjen e tyre politike. Ky kriter ndryshon nga votuesi në votues. Ato mund të grupohen në: racional, ideologjik, abstenues, etj., në varësi të faktorëve të cilët kanë ndikuar në strukturimin e sjelljes së tyre. Studentët do të përpiqen të ndërtojnë një strukturë të këtyre tipeve dhe elementeve të tyre përbërës në Bashkinë e Durrësit.
Qëllimi është tu sigurojë atyre njohuri praktike në identifikimin e sjelljes votuese të Bashkisë së Durrësit. Njëkohësisht do tu sigurojë mundësi konsultimi proaktiv me qeverisjen lokale. Njohuritë bazike të nevojshme janë tekste dhe program përpunimi të të dhënave në shkencat sociale. Kjo eksperiencë do tu mundësojë atyre njohuritë e nevojshme në analizimin kritik. Ata gjithashtu do të ndërmarrin një kërkim bazik empirik në terren dhe do të mund të japin në fund të kërkimit rekomandimet e përshtatshme aktorëve të interesuar politik. Do të mësojnë të përzgjedhin teknikat dhe mjetet e kërkimit në bazë të natyrës së problemit, duke iu përshtatur kostove dhe vështirësive të tij. Në përfundim të projektit, studentët do të kuptojnë se si studiuesit i zhvillojnë kërkimet e tyre. Si ata arrijnë në përfundime në lidhje me problemet konkrete të jetës.
Në anën tjetër, palët e interesuara, nëpërmjet konsultimeve për sjelljen votuese, do të përfitojnë një këndvështrim akademik të këtij problemi. Ky bashkëpunim do të shërbejë në ndërtimin e politikave më të përshtatshme lokale ndaj interesave të zgjedhësve. Kështu që, të gjitha palët e përfshira në këtë projekt njëkohësisht me përfitimin, do të mund të japin kontributin e tyre në drejtim të zhvillimit të qendrueshëm social.
Komentet Shkruaj koment