Reforma e re territoriale-administrative u ndërmor në vitin 2013-2014 dhe u finalizua me ligjin nr. 115/2015 të miratuar në 31 korrik. Në përputhje më këtë reformë, territori shqiptar u nda në 12 qarqe, 61 bashki si dhe u bashkuan përafërsisht 5-6 komuna. Kjo ndarje e re territoriale u realizua me qëllimin e rritjes së efiçencës së përdorimit të burimeve që zotërojnë njësitë e qeverisjes vendore (NJQV), në kontekstin edhe të reformës së decentralizimit të pushtetit. Prandaj kjo reformë përbën një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm
Me ndarjen e mëparshme administrative ekzistonin 12 qarqe, 65 bashki dhe 308 komuna me të drejtën e administrimit të burimeve të veta, si dhe me mundësinë për përfitimin e fondeve nga buxheti i shtetit. Me anë të kësaj reforme, njësitë e qeverisjes vendore besohet se do të përmirësojnë kapacitetet e tyre në drejtim të mirëqeverisjes. Nga ana tjetër, këto shërbime besohet se do të jenë më afër nevojave të qytetarëve. Ndarja e vjetër administrative nuk krijonte mundësi për zhvillim dhe ofrim të përshtatshëm të shërbimeve publike(sipas kërkesave dhe nevojave të qytetarëve).
Shërbimet publike kryesore që ofrohen nga qeverisja vendore janë të lidhura me funksionet e veta, funksionet e përbashkëta dhe funksionet e deleguara. Funksionet e para janë infrastruktura dhe shërbimet publike, shërbimet sociale, kulturore dhe sportive, zhvillimi ekonomik lokal si dhe rendi publik e mbrojtja civile. Funksionet e përbashkëta janë të lidhur ame shërbimet në edukim, shërbimin shëndetësor, kujdesin social, rendin publik dhe mbrojtjen civile, si dhe mbrojtjen mjedisore. Ndërsa funksionet e deleguara janë të lidhura me çështje si: zyrat e gjendjes civile dhe regjistrimin e bizneseve.
Megjithëse komunat e mëparshme u shkrinë për krijimin e zonave të ndryshme funksionale, ish-komunat vazhdojnë të ofrojnë shërbime publike në komunitetet përkatëse. Aktualisht qarku i Durrësit ka si qendër qytetin e Durrësit dhe përfshin 3 bashki si njësi të qeverisjes vendore: Bashkia Durrës, Bashkia Shijak dhe Bashkinë e Krujës.
Në këtë kuadër, ky material ka si synim që të tërheqë vëmendjen e studentëve në lidhje me reformën e re territoriale dhe analizën e saj. Për më tepër, ata mund të zhvillojnë kërkime në lidhje me shërbimet publike lokale të ofruara si dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm. Më tej, si rezultat i kërkimit dhe analizës, ata do të munden të diskutojnë mes tyre si edhe me palët kryesore të interesuara në lidhje me dallimet dhe përmirësimet e konstatuara në njësitë e qeverisjes vendore.
Gjetjet e studentëve do të integrohen më pas në programin e lëndëve “Politika Publike” dhe “Administrim Publik”, si leksione të programit studimor të degës “Shkenca Politike” dhe “Administrim Publik”.
Komentet Shkruaj koment